(VIDEO) Zvicra ndaloi Burkën: Por Në fenë Islame, A është detyrim ajo ?

Javë më pare zviceranët votuan pro ndalimit të mbulimit të fytyrës në publik, duke përfshirë burken ose nikabin, të cilat vishen nga gratë myslimane.

Rezultatet e referendumit të së dielës ishin shumë të afërta 51.2% pro ndalimit me 48.8% kundër, përcjell albinfo.ch.

Theksohet se propozimi u paraqit nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë, e cila bëri fushatë me parulla të tilla si “Stop ekstremizmit”. Grupi kryesor islamik zviceran tha se kjo ishte “një ditë e errët” për myslimanët.

“Vendimi hap plagë të vjetra, zgjeron më tej parimin e pabarazisë ligjore dhe i dërgon një sinjal të qartë përjashtimit pakicës myslimane”, tha Këshilli Qendror i Myslimanëve në një deklaratë, duke shtuar se do të kundërshtonte vendimin në gjykatë.

Qeveria Zvicerane është shprehur kundër ndalimit, duke thënë se nuk i takonte shtetit të diktonte atë që veshin gratë.

Ndërkohë, Edlira Dyrmishaj, psikologe, thotë se Evropa pretendon se ka tolerancë, por ajo është shumë delikate dhe e brishtë.

Duke iu referuar reagimeve të Amnisty Internacional, ajo thotë se rezultati i referendumit në Zvicër është cilësuar dështim objektiv për të drejtat e grave.

Sipas saj, në fenë islame nuk është e detyrueshme mbajtja e burkës, por bëhet fjalë vetëm për mbajtjen e shamisë ose siç quhet ndryshe hixhab. Ajo tha se burka, nga ana tjetër, nuk është kulturë e emigrantëve, pasi në Shqipëri ka ekzistuar që në kohën e mbretërisë.

“Dje kam marrë rastësisht një mesazh nga një zonjë nga Zvicra që as nuk e njoh, po përmes internetit ka marrë numrin tim dhe më pyeti nëse a kemi gjyhan para Zotit nëse i heqim burkat.

I thashë qetësohu, nuk bëhet fjalë që të hiqni këtë veshjen siç e kam unë (shaminë), por bëhet për mbulimin e fytyrës që nuk është obligim si shamia (hixhabi) dhe ajo u lumturua”, u shpreh znj. Dyrmishaj.

error: Alert: Content is protected !!