Prishtina pretendon se e ka të sigurt Evropën, pavarësisht vendimit të FFK-së

Prishtina pretendon se e ka, siç thotë, të sigurt një vend në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm, pavarësisht se çfarë vendimi do të merrte Federata e Futbollit e Kosovës në rast se do të përfundonte para kohe sezoni aktual në Ipko Superligë.

Sezoni 2019/20 në Superligë u pezullua më 13 mars pas javës së 22-të, menjëherë pas rasteve të para me Covid-19 në vend, raporton Gazeta Express.

Rifillimi i sezonit nuk është i sigurt, por FFK-ja e ka përpiluar një plan për rikthimin e skuadrave në stërvitje nga mesi i këtij muaji dhe kthimin në fushë me ndeshjet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës nga 24 maji, ndërsa rifillimin e kampionatit nga 1 qershori. Por në vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave kufizuese për mbrojtje ndaj pandemisë koronavirus, rikthimi i aktiviteteve lejohet vetëm nga 1 qershor.

Pavarësisht vendimit të qeverisë, Llapi i ka rifilluar stërvitjet para dy ditëve dhe organi qeverisës i futbollit në vend bashkë me klubet janë duke i bërë presion Qeverisë ta aprovojë planin e tyre për rikthim më të hershëm të futbollit.

Por në rast se plani nuk aprovohet dhe rrjedhimisht dështon rifillimi i sezonit, Prishtina do të përfundojë në pozitën e katërt, dhe si pasojë do të dështojë të luajë në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Evropës.

Sipas renditjes aktuale në Superligë, Prishtina është në vendin e katërt, me pikë të barabarta me Gjilanin, i cili radhitet i treti.

Ballkani është lider i ndjekur nga Drita. Tri skuadrat e para marrin pjesë në kualifikime, një për Ligën e Kampionëve dhe dy për Ligën e Evropës.

UEFA u ka bërë thirrje federatave dhe ligave që, në rast se e anulojnë kampionatin, në Evropë t’i dërgojnë skuadrat në bazë të meritës sportive.

Prishtina pretendon se e meriton një gjë të tillë duke qenë se e ka mundur dhe ka barazuar me Gjilanin në dy ndeshjet kokë me kokë këtë sezon.

Por mbi të gjitha, klubi nga kryeqyteti thotë se dëshiron që sezoni të rifillojë.

Në një postim në Facebook klubi bardhekaltër shkruan:

FC Prishtina e ka të siguruar Evropën

Që tani, skuadra jonë, në rrethanat aktuale, e ka siguruar Evropën. Por, klubi ynë nuk donë që në këtë mënyrë t’i shkel rregullat elementare të futbollit të luajtur. Andaj këmbëngulim që futbolli t’i rikthehet fushës së blertë

Argumentim:

Prishtina e treta e pozicionuar në klasifikim

1) FC Prishtina, momentalisht pas 22 javësh pozicionet e 4-ta me 41 pikë sa ka edhe Gjilani. Por, Prishtina ka bilanc të ndërsjellë pozitiv kundër Gjilanit me një fitore dhe një barazim. Dhe, nëse FFK i shpall garat të përfunduara, atëherë në fuqi hyn Neni 65 i Propozicioneve të garave ku në rast të pikëve të barabarta, vendos rezultati dhe goldallimi i ndeshjeve të ndërsjella, si në rastet kur shpallet ekipi kampion, dalja në Evropë, rënia nga Liga apo shkuarja në barazh. Pra Prishtina do të përfundonte e treta. Po ashtu, nëse kampionati shpallët i përfunduar edhe pse janë zhvilluar 22 ndeshje duke ngelë edhe 11 sosh, atëherë në fuqi duhet të hyjë vendimi i Komitetit Ekzekutiv që Superliga për edicionin 2020/21 të reduktohet në 10 skuadra duke rënë nga kjo kategori katër skuadrat e fundit të klasifikuara. Çdo vendim ndryshe në rast të përfundimit të kampionatit, FC Prishtina e sheh si shkelje të Propozicioneve të Garave dhe shkelje e vendimit të marrë nga KE e FFK.

Prishtina koeficientin më të mirë

2) Në rastin nëse FFK do të suspendonte/anulonte kampionatin dhe nuk do të shpallej kampioni dhe nuk do të binte asnjë skuadër nga elita, dalja në garat ndërkombëtare do të ndodhte ekskluzivisht vetëm sipas modelit të koeficientit më të lartë në garat ndërkombëtare.

Me këtë rast, FC Prishtina jo vetëm që e ka të siguruar daljen në Evropë, por si skuadra më e mirë kosovare me koeficientin më të madh me 1.750 pikë do të merrte pjesë në Ligën e kampionëve, kurse Feronikeli dhe Drita me 1.500 (Feronikeli do të kishte përparësi si skuadra e fundit pjesëmarrëse në Evropë) do ta siguronin pjesëmarrjen në Ligën e Evropës dhe Trepça ’89 ndodhet e fundit me 0.500 pikë.

Konstatim:

Andaj, FC Prishtina, fare nuk e ka brengën e daljes në Evropë nëse nuk do të vazhdonte kampionati, në çdo variant të mbylljes së saj.

Por, kjo nuk është as etike, as sportive dhe FC Prishtina me këmbëngulje kërkon që rezultati përfundimtar të arrihet vetëm në fushën e blertë, kurdo që arrihet ujdia të nis kampionati, me 1 qershor apo 15 qershor.

Përndryshe, FC Prishtina, në rast të moszbatimit të asnjërit nga dy konstatimet e lartcekura, atëherë nuk do ta njoh të rregullt e as të bazuar në rregulloret valide të FFK-së. Klubi ynë i bënë apel të gjitha klubeve që njëzëri të bëjnë trysni që sa më parë të rifilloj kampionati dhe vetëm pas zhvillimit edhe të 11 ndeshjeve të mbetura dhe atyre pesë për Kupë, më të mirët të përzgjidhen në bazë të suksesit nga vetë futbollistët, si shpallja e ekipit kampion, si skuadra e dytë e shpallur nënkpampion dhe fituesi i Kupës – vende këto që dërgojnë në Evropë dhe po ashtu si katër skuadrat që do të linin elitën e futbollit tonë – të gjitha këto të arrihen vetëm në fushën e blertë.

error: Alert: Content is protected !!