Rama prezanton programin për qeverinë/ Ja sa rriten pagat e administratës, nuk ka më pak se 800 mijë

Kryeministri Edi Rama do të prezantojë nesër programin qeverisë të mandatit të tretë. Programi voluminoz i socialistëve do të ketë pesë shtylla kryesore ku do të fokusohen investimet dhe vëmendja e qeverisë në 4 vitet e ardhshme.

Mandati i tretë organikisht nis me objektiva të qarta duke u mbështetur në 5 shtylla kryesore:

1. Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia;
2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.
3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve;
4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen;
5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë.
Sipas programit të PS, administrata do të ketë një rritje rroge me 30% ose e thënë ndryshe, rroga mesatare në administratë do të jetë 850,000 lekë (të vjetra) në muaj. Rritje do të ketë edhe për mësuesit dhe mjekët, pagat e të cilëve do rriten me 40%.

Duke filluar nga Korriku 2022, rritet gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar pagat e administratës:

1. Rrisim pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40% deri në fund të mandatit të tretë.
2. Rrisim pagat e punonjësve të administratës publike me 30% deri në fund të mandatit të tretë.
3. Rrisim pagën mesatare në administratë, nga 72 mijë lekë/muaj në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandatit të tretë.